Messi: Pep? Duam finalen me Enrique-n

05/05/2015 00:00

Përballja Barcelona-Bayern do të risjellë në “Camp Nou” Pep Guardiolën, trajnerin që udhëhoqi katalanasit në një periudhë të lavidshme me shumë trofe. Megjithatë, ky ritakim nuk do të ndikojë në katër herë fituesin e Topit të Artë, Lionel Messin.

Ylli argjentinas ka thënë se ka respekt për ish-trajnerin, por jo gjatë 180 minutave ku lojtarët do të zhvillojnë betejën e tyre në fushë. “Gjatë kohës së Guardiolës jam maturuar shumë si futbollist, kemi fituar shumë trofe dhe është normale që meriton respektin edhe nga tifozët. Mirëpo, gjithçka do të mbarojë kur të fillojë ndeshja, ne duam finalen, jemi të etur për trofe këtë vit”, ka thënë Messi.

Numri 10 i Barcelonës është shprehur se Guardiola e njeh shumë mirë skuadrën, por sipas tij, katalanasit e kanë formulën e fitores. Kur është pyetur në lidhje me raportet e tij me trajnerin aktual Luis Enrique, Messi deklaroi se gjithçka është në rrregull, ndërsa nuk ka pranuar të bëjë krahasime me Guardiolën.

“Ajo çfarë ka ndodhur, ka ndodhur. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe raportet e mia me trajnerin janë shumë të mira. Luis apo Pep? Janë trajnerë të ndryshëm, por që të dy i trajtojnë lojtarët shumë mirë”, është shprehur Messi.

Ndërkohë, Luis Enrique, para 180 gazetarëve të pranishëm, nuk ka kursyer fjalët e mira për Guardiolën, duke thënë se ka ndryshuar filozofinë e Bayern Munchen, por në të njëjtën kohë ka deklaruar se mungesat në skuadër nuk janë justifikim.

“Pep është numër një për atë që ka arritur me këtë skuadër. Ne duam që të shkojmë në finale, ashtu sikurse edhe ai. Mungesat? Më vjen keq, por nuk besoj se do ndikojnë. Bayern është një skuadër e madhe, prandaj presim më të mirën nga ta. Barcelona nuk u ankua para dy vitesh kur kishte mungesa, nuk pres as nga Bayern-i që ta bëjë këtë vit”, deklaroi Enrique.

Top Channel