Problemi “Neymar”, Bartomeu: Nuk më penalizon

04/05/2015 00:00

Zgjedhjet e ardhshme për Presidencën e Barcelonës e kanë vendosur në një pozicion aspak komod kreun aktual të klubit, Josep Maria Bartome, për shkak të çështjes kontroverse të blerjes së Neimar.

Synimi i biznesmenit katalanas për t’u rikonfirmuar në krye të ekipit të Kamp Nou, ka hasur në probleme serioze, pasi ai rrezikon burgimin për shkak të fshehjes së shumës së vërtetë të blerjes së futbollistit Brazilian dhe evazionit fiskal.

Por Bartomeu insiston se nuk ka bërë asgjë ilegale. “Nuk mendoj se çështja Neymar do të më penalizojë në zgjedhjet e ardhshme, pasi nuk kemi bërë asgjë të gabuar. Jam kaq i sigurt për këtë, saqë vendosa të rikandidoj në zgjedhje. Jemi të qetë, sepse klubi çdo gjë e ka bërë si duhet. Neymar tani luan për ne dhe ky ishte qëllimi kryesor i Barcelonës”, tha Presidenti Bartomeu për Televizionin Esport 3.

Hetimi, që ka përfshirë kreun aktual të katalanasve dhe ish-presidentin Sandro Rosell, ka zbuluar se për Neymar u raportua që ishte blerë 58.1 milionë euro, por shifra e tij arrin deri në 100 milionë, duke përfshirë bonuset dhe pagesat nën dorë për familjen e lojtarit.

Top Channel