Dëmtimet, lojtarët që mungojnë në gjysmëfinalet e “Champions”

04/05/2015 00:00

Liga e Kampioneve po i afrohet fundit të këtij kompeticioni në sezonin
aktual me ndeshjet e para gjysmëfinale, që do të vendosin shumë mbi
finalistët e Berlinit.

Por të martën dhe të mërkurën, shumë prej yjeve të futbollit kontinental nuk do të mund të japin kontributin e tyre në fushën e lojës. Bajerni i Mynihut deri më tani ka qenë i aftë për t’u përballur me krizën e dëmtimeve, duke fituar titullin në Bundesliga dhe duke eliminuar Porton në “Champions”.

Megjithatë, këtë herë formacioni i Pep Guardiolës do të testohet më fort se kurrë të mërkurën kundër Barcelonës. Skuadra bavareze nuk do të ketë futbollistin më efikas, Arien Roben që ka mbyllur sezonin pas dëmtimit muskular, mungesë së cilës i shtohet dhe austriaku David Alaba.

Enigmave të 11-shes së Pep Guardiolës u shtohet dhe sulmuesi polka, Robert Levandovski, i cili është në dyshim për t’u aktivizuar kundër katalanasve. Tifozët e Bajernit po shpresonin se mund të rikuperohej Frenk Riberi, por këtë e përjashtoi drejtori sportiv, Matias Zamer.

Në kampin tjetër, trajneri i Barcelonës nuk ka shqetësime të këtij lloji dhe pritet që ndaj kampionëve të Gjermanisë, të hedhë në fushë, formacionin më të mirë me Suarez, Nejmar dhe Mesi në repartin ofensiv.

Për ndeshjen e së mërkurës midis Juventus dhe Realit do të mungojë Pol Pogba te italianët, ndërsa në skuadrën merenges do të peshojë mungesa e Benzema dhe kroatit Luka Modriç, i cili është ende larg rikthimit pas problemeve me gjurin. Por kampionët e Europës do të kenë, përveç Ronaldos, një tjetër futbollist të frikshëm në repartin ofensiv, uellsianin Garet Bejl, që u aktivizua dhe në La Liga në fundjavë kundër Sevijës.

Top Channel