Incidentet në futboll, policia vret një tifoz në Poloni

04/05/2015 00:00

Plumbat e gomës të lëshuar nga policia, si masë paralajmëruese për trazirat në një ndeshje futbolli, kanë rezultuar fatale për një tifoz në Poloni.

Incidentet dhe episodet e dhunës u regjistruan në ndeshjen mes Konkordia Knurov dhe Ruchem Radzionkov në kategorinë e katërt polake, kur shifrat ishin 4-1 për vendasit. Disa grupime tifozësh dolën jashtë kontrollit duke hyrë në fushë dhe u përleshën me policinë.

Një prej tifozëve që u konfrontua me agjentët e sigurisë, u godit në qafë nga një plumb gome dhe më pas 27-vjeçari humbi ndjenjat, duke vdekur orë më pas në spitalin e Knurovit.

Lajmet e incidentit dhe vdekjes së mbështetësit të Konkordias i zhvendosën trazirat pranë spitalit. Tifozët lëshuan gurë dhe mjete të forta kundër forcave të rendit, duke plagosur 14 prej tyre.

“Ne jemi të tmerruar nga dhuna ku ishim dëshmitarë dhe për këtë mund të shikoni pasojat në njerëz dhe në muret e spitalit”, tha një zyrtar i policisë polake. Prokuroria ka nisur një hetim mbi vdekjen e tifozit dhe mbi shkaqet që çuan në trazirat e radhës në futbollin këtij shteti europian.

Top Channel