“Ndeshja e shekullit”, trajnerët ndezin luftën

01/05/2015 00:00

Bota po bëhet gati për “Ndeshjen e shekullit”, mes Pacquiao-s dhe Mayweather-it, ndërsa lufta verbale vetëm sa ka filluar. Trajnerët e dy boksierëve kanë thumbuar njëri-tjetrin, teksa janë shprehur të sigurtë në fitoret e tyre.

Freddie Roach është trajneri i Pacquiaos-s prej më shumë se 10 vitesh, ndërsa Mayweather stërvitet nga babai i tij, Floyd Senior dhe xhaxhai Roger. Roach ka qenë i pari, që ka ngjallur dyshime për dorezat e amerikanit, që sipas tij janë të punuara me dorë dhe mund të jenë më të rënda, ndërsa replikat nga kampi i Mayweather-it nuk kanë munguar, duke thënë se kjo është një shenjë se kundërshtari po frikësohet.

Rekordi prej 47 fitoresh dhe asnjë humbjeje për amerikanin, bën që babai i Floyd të jetë shumë optimist për luftën, madje duke thënë se nuk do të zgjasë shumë. “Kjo është një ndeshje e fituar që tani, nuk besoj se do të shihni shumë luftë në ring”, ka thënë Floyd Senior.

Ndërsa nga kampi i filipinasit duken më të matur, teksa janë të përgatitur për 12 raunde. “Ne jemi përgatitur për të shkuar deri në fund. Nëse Mayweather do të qëndrojë gjatë, atëherë do të përballet me grushtat e Manny-t. Nëse tenton të lëvizë, do t’ia zëmë rrugën. E kam studiuar Floyd-in prej 5 vitesh dhe të jeni të sigurt, se e kemi gjetur formulën e fitores”, ka thënë trajneri i Pascquiao-s, Roach.

Ndeshja e 2 Majit, që do të transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht edhe në “Digitalb”, është më e shtrenjta në histori, sepse për herë të parë ajo kap vlerën e 400 milionë dollarëve, duke pasur madje dyfishin e arkëtimeve, krahasuar dhe me “Superbowl”-in.

Top Channel