Ligj i ri për të drejtat televizive në Spanjë; Barcelona dhe Real Madrid, më pak përfitime

01/05/2015 00:00

Reali i Madridit dhe Barcelona nuk do të përfitojnë më shuma marramendëse nga të drejtat televizive në futbollin iberik. Qeveria spanjolle miratoi ligjin që më në fund favorizon skuadrat e vogla, që e kërkonin një gjë të tillë prej kohësh.

Sipas ligjit të ri për të drejtat televizive, klubet do të përfitojnë në total 846 milionë euro, shifër kjo që në të ardhmen mund të shkojë deri në 1.5 miliardë euro.
 
Shpërndarja e këtyre të ardhurave do të jetë: 90% e tyre do të shkojnë për klubet e Primera Division dhe 10% për Liga Adelante. Ndërkaq, 50% të të ardhurave të Primera Division do të shpërndahen në formë lineare, ndërsa në Segunda Division kjo do të ndodhë për 70% të të ardhurave të përcaktuara për këtë kategori. Përsa i përket pjesës tjetër, për të dyja kategoritë, do të shpërndahet në bazë të rezultateve.
 
Kampionati spanjol ishte i vetmi nga ligat e rëndësishme të Europës që kishte një diferencë kaq të madhe në shpërndarjen e të ardhurave nga të drejtat televizive. Kampionati francez dhe ai italian e kanë tashmë një ligj të posaçëm për këtë çështje, ndërsa ai anglez dhe gjerman e kanë arritur këtë, falë një marrëveshjeje me organizatorët e kompeticionit dhe kompanisë që zotëron të drejtat televizive.

Top Channel