Botërori i Formula 1, ja kalendari paraprak i vitit 2016

01/05/2015 00:00

Janë zhvilluar vetëm katër gara nga Botërori i Formula 1 të këtij viti, megjithatë kjo nuk i pengon drejtuesit e këtij kampionati të mendojnë për sezonin e ardhshëm.

Tashmë Berni Ekleston ka filluar punën për hartimin e kalendarit e vitit 2016, ku ideja është që në të të përfshihen 21 gara.
 
Ashtu siç është bërë e ditur, Botërori i Formula 1 vitin e ardhshëm do të nisë më 3 prill me Çmimin e Madh të Australisë dhe do të përfundojë më 27 nëntor, me garën e Abu Dabit.

Kalendari paraprak i Botërorit të Formula 1 parashikon një rikthim të garës së Gjermanisë në Hokenhajm dhe organizimin e Çmimit të madh të Europës, që do të zhvillohet në Baku.
 
Por, jo vetëm kaq. Parashikohet që Çmimi i madh i Malajzisë vitin e ardhshëm të mbahet më 25 shtator, menjëherë pas garës së Singaporit, që do të zhvillohet një javë më parë.
 
Një tjetër detaj i rëndësishëm i këtij kalendari paraprak është se, periudha e pushimeve verore është reduktuar në tre javë. Sa u përket testeve parasezonale të Herez dhe Barcelonës, ato do të shtyhen me dy javë, që do të thotë se skuadrat kanë më shumë kohë për të punuar gjatë stinës së dimrit, e për më tepër, kjo do të ndodhë në kushte më të mira klimaterike.

Top Channel