F1, Ferrari i përshtatet Raikkonen-it

28/04/2015 00:00

Kimi Raikkonen duket një pilot tjetër. Finlandezi i Ferrari është më komod me njëvendëshen e tij dhe kjo shihet qartë nga rezultatet: dy vende të katërta dhe një podium në 4 garat e para sezonale. Shumë më shumë sesa arriti në vitin 2014. Me 45 pikët e grumbulluara deri tani, ai u është afruar 55 pikëve në total të kampionatit të kaluar.

Njëvendëshja SF15-T i përshtatet shumë më mirë stilit të pilotimit të Kimit, sepse këtë gjë ia ka kërkuar Maurizio Arrivabene, shefi i Ferrarit, inxhinierëve të skuderisë italiane.

“Mbaj mend që ishte data 10 dhjetor. Po flisja me Restën (shefi i dizenjos) dhe e pyeta nëse mund të kalonin peshën në pjesën e përparme të makinës, sepse Kimit i pëlqen kështu. Më tha që duheshin 6 muaj për këtë. I kërkova ta bënte për 3 muaj. Më tha që duhet të punonte natë e ditë. I thashë që do të punonim bashkë”, deklaroi Arrivabene për ‘Autosport’.

Vendi i dytë në Bahrein është rezultati më i mirë i Raikkonen-it që nga kthimi i tij te Ferrari dhe ritmi i tij i garës të kujtonte atë të vitit 2007, kur fitoi titullin kampion me “Kokëkuqen”.

Top Channel