Sërish dhunë në Serbi, gjatë derbit të Beogradit (Video)

26/04/2015 00:00

Dhuna në futbollin serb është bërë sërish protagoniste e faqeve të para në mediet vendase dhe ato europiane.

Para, gjatë dhe pas derbit të Beogradit, Crvna Zvezda (Ylli i Kuq) – Partizan Beograd, pjesëtarë të tifogrupit “Delije”, të ashtuquajturit “heronjtë”, janë përplasur me tifozët e e skuadrës kundërshtare dhe më pas me forcat e rendit.

Forcat e policisë u detyruan të ndërhynin me forcë për të zbrazur sektorin e ultrasve vendas, në mënyrë që të riniste ndeshja, e cila gjithsesi startoi me 45 minuta vonesë.

Ndeshja u ndërpre për disa minuta edhe në pjesën e dytë, për shkak të hedhjes së flakadanëve në fushë. Sipas raportimit të medieve serbe, nga përleshjet kanë mbetur të plagosur disa prej tifozëve, ndërkohë që 20 të tjerë janë arrestuar nga policia.

Mes tifozëve të dhunshëm, mediet serbe kanë fokusuar edhe Ivan Bogdanovin, personi që dogji flamurin shqiptar në ndeshjen Itali-Serbi dhe pushtuesi i fushës në sfidën e 14 Tetorit, Serbi-Shqipëri, të luajtur në stadiumin e Partizanit të Beogradit.

Top Channel