Interi mposht 2-1 Romën. Suksesi i parë pas dy muajsh në shtëpi

26/04/2015 00:00

Interi është rikthyer te fitorja në shtëpi, gjatë këtij kampionati të Serie A, pas më shumë se 2 muajsh, më saktësisht që prej 8 Shkurtit kundër Palermos, dhe këtë e bën ndaj Romës.

Mund të thuhet se me këtë sukses janë arritur dy objektiva, pasi veç kësaj të parës, ka ardhur edhe ai që mund të konsiderohet si mposhtje e një “muri” të një ekipi të madh, që nuk ishte arritur ende gjatë këtij sezoni.

Zikaltrit kanë triumfuar 2-1 ndaj kryeqytetasve, falë golave të Hernanes dhe Icardit, ndërsa për verdhekuqtë barazoi përkohësisht shifrat Nainggolan.

Ndeshja nisi që në fillim më mirë për Interin, që vuri nën presion lojtarët e Romës përgjatë 10 minutave të para, edhe pse goditjen e parë e dha De Rossi nga distanca, që gjeti portierin Handanoviç në pozicion.

Më pas, ashtu si dhe në derbi, i takoi sërish Hernanesit të ndizte atmosferën. Ndaj Milanit tronditi traversën, ndërsa me Romën sapo gjeti hapësirën e parë nga distanca, godet me të majtën dhe De Sanctis nuk mundet të bëjë gjë. Reagimi i Romës ishte i menjëhershëm me Ibarbon, i cili godet shtyllën, pas një aksioni që përfshiu thuajse të gjithë skuadrën.

E pas shumë përpjekjesh për të barazuar, vjen një gabim i Ranocchias në një moment kundërsulmi, duke ia dhuruar topin Pjaniçit, i cili gjen belgun Nainggolan, e djathta e të cilit lë të shtangur Handanoviç. Gjërat nuk ndryshojnë deri nga fundi i takimit, kur pasi janë aktivizuar edhe Iturbe e Shaqiri për secilin ekip, ndryshojnë edhe skemat taktike. Por decizive rezultoi aktivizimi i Podolskit, i cili me të hyrë në fushë, jep një asist për Icardin dy minuta nga fundi i takimit. Argjentinasi e mbron topin mirë, kthehet dhe shënon. “Shpërthen” stadiumi nga tifozët zikaltër, sepse Interi mposhti për herë të parë një ekip të madh… nëse mund të quhet i tillë Roma.

Top Channel