Partizani mposht Teutën, mban gjallë shpresat për titull

25/04/2015 00:00

Partizani ka mposhtur minimalisht 1-0 në transfertë skuadrën e Teutës dhe është ngjitur në kuotën e 63 pikëve, po aq sa Kukësi e Tirana, por me një ndeshje më shumë.

“Të kuqtë” morën trepikëshin që i mban në garën për titullin kampion falë golit të shënuar nga Batha në minutën e nëntë të pjesës së dytë.

Ndërkohë, në Fier Apolonia e vendit të parafundit mban ende gjallë shpresat për të qëndruar mes më të mirëve falë fitores 2-0 përballë Vllaznisë pa objektiva, ndërkohë që më herët në Vlorë, Flamurtari vendas mposhti Elbasanin me rezultatin 2-1.

Nesër luhen dy takimet e tjera të javës së 32, një ‘déjà vu’ u përballjeve të mesjavës për Kupën e Shqipërisë. Në Kukës vendasit presin Skënderbeun kryesues, ndërsa në Tiranë bardheblutë luajnë ndaj Laçit.

Kuksianët dhe kurbinasit janë finalistët e Kupës së Shqipërisë pasi eleminuan respektivisht Skënderbeun dhe Tiranën.

Top Channel