F1, Lauda: Hamiltoni do të rinovojë para garës në Spanjë

23/04/2015 00:00

Niki Lauda ka këmbëngulur sërish se rinovimi i kontratës së pilotit Lewis Hamilton me Mercedesin është thjesht një çështje ditësh.

“Gjithçka do të ketë përfunduar para Çmimit të Madh të Spanjës, në 10 maj”, tha Lauda për gazetën zvicerane ‘Blick’.

Gjatë fundjavës së garës në Bahrein, Lauda, Presidenti i Nderit i Mercedesit, garantoi se nuk kishte asnjë mundësi që Hamiltoni të transferohej te Ferrari, pasi kontrata e re për të është gati dhe pret vetëm firmën e britanikut.

“Paga e tij nuk do të jetë problem”, shtoi Lauda.

Sipas BBC, Lewis Hamilton do të përfitojë nga kontrata e re një pagë vjetore prej 37 milionë eurosh, duke u bërë piloti më i paguar në Formulën 1.

Hamilton është bërë pjesë e Mercedesit në vitin 2013 dhe deri tani ka arritur 15 fitore dhe një titull kampion me ekipin gjerman.

Top Channel