Mbrëmje decizive për ekipet e Milanos, në tryezë tri projekte ambicioze

22/04/2015 00:00

Mbrëmja e sotme pritet të ketë ndikim të jashtëzakonshëm për të ardhmen e dy klubeve të Milanos, duke nisur nga e nesërmja.

Në komunë, përpara kryebashkiakut Giuliano Pisapia, presidenti i Interit Thohir dhe administratorja e deleguar e Milanit, Barbara Berlusconi, do të zhvillojnë të parin samit mes tyre, për të vënë pikat mbi “i”, sa u përket tri projekteve.

Bëhet fjalë për pamjet e “San Siro”-s për finalen e Championsit të vitit 2016; projektin që “San Siro” t’i kalojë tërësisht në pronësi klubit zikaltër, duke nisur sipas parashikimeve prej vitit 2018; si dhe projekti për shtëpinë e re “Milan Stadium” të kuqezinjve, një miks i artë i teknologjisë dhe arkitekturës, i cili momentalisht është vetëm projekt, por që pritet të bëhet realitet sërish nga viti 2018.

Nuk janë gjëra të thjeshta, por sot do të diskutohet për përgatitjet e nevojshme për një “futboll të ri”. Interi dhe Milani për të rilindur duhet t’ia nisin nga projekte të pasura dhe ambicioze. Ai i stadiumit të ri të kuqezinjve, për shembull, është një histori e gjatë që e ka pikënisjen prej viteve ’70, kur Angelo Moratti kërkonte një alternativë tjetër për zikaltrit, dhe jo “San Siro”-n.

Në vitet ’90, projekti u bë prioritet i Silvio Berlusconit, e më pas kaloi sërish në shqyrtimin e Massimo Morattit. Megjithatë, prej pak vitesh, familja Berlusconi duket se ka vendosur piketat e para për një projekt real dhe të magjishëm. Fillimisht duke krijuar “Casa Milan”, selinë e re të “djallit” me gjithçka brenda, e tashmë me stadiumin e ri të projektuar.

Në takimin që pritet të zhvillohet në Komunën e Milanos, do të jenë të pranishëm edhe zëvendëskryebashkiakja Lucia de Cesaris, këshilltarja për Sportin, Chiara Bisconti, administratori i deleguar interist Bolingbroke dhe drejtori i përgjithshëm Fassone, si dhe drejtori i stadiumit kuqezi, Cefaliello.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel