Trukimet në Superiore, Etika pezullon nga 6 muaj tre lojtarë

21/04/2015 00:00

Komisioni i Etikës në FSHF ka pezulluar me 6 muaj nga çdo aktivitet portierin e Flamurtarit, Ilion Lika; lojtarin e Partizanit, Arben Muskaj dhe atë të Elbasanit, Ganiol Kaçuli, me akuzën e tolerimit të disa ndeshjeve në Kategorinë Superiore.

Portieri i skuadrës vlonjate akuzohet për ndeshjen me Partizanin, të cilën Flamurtari e humbi 2-1, dhe atë me Kukësin, ku “të kuqtë” u mundën 4-0. Një vendim paksa i çuditshëm ky i Etikës, e cila ka përfshirë ndeshjen me “të kuqtë” e Duros, ku Ilion Lika nuk ka luajtur asnjë minutë.

Ndërkohë, sipas Etikës, futbollisti i Partizanit Arben Muskaj ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes Laçi-Partizani; ndërsa ai i Elbasanit, Ganiol Kaçuli, për ndeshjen Partizani-Elbasani.

Kjo është hera e dytë gjatë këtij sezoni, që Komisioni i Etikës pezullon lojtarë me akuzën e trukimit të ndeshjeve. Më parë janë pezulluar Arjan Pisha i Elbasanit dhe Alfred Osmani i Teutës.

Top Channel