Ministria e Brendshme, memorandum bashkëpunimi me KQZ-në për zgjedhjet e 21 Qershorit

21/04/2015 00:00

Ministria e Brendshme dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nënshkruan sot
një memorandum bashkëpunimi për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit.

Në konferencën e përbashkët për mediat, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nënvizoi angazhimin të qeverisë për të respektuar të drejtën e qytetarëve për të votuar.

“Jemi plotësisht të gatshëm të garantojmë standarde maksimale për zgjedhje të lira e të ndershme, sepse kanë shumë rëndësi për qytetarët, shtetin dhe institucionet në tërësi. Dhe gjithashtu janë vlerë për konkurrentët në garë. Për ne, ka shumë rëndësi standardi i zgjedhjeve se sa rezultati”, u shpreh Tahiri.

Ai tha se “jemi në fazën e afishimit të listave të zgjedhësve” dhe u bëri thirrje qytetarë të kontrollojnë në lista për emrat e tyre.

Duke falenderuar KQZ-në për angazhimin dhe bashkëpunimin, ministri Tahiri bëri të ditur se, ka filluar ndërkohë edhe trajnimi i policisë për zgjedhjet e 21 Qershorit.
 
Edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterie Luzi, falenderoi Ministrinë e Brendshme për bashkëpunimin dhe theksoi se “KQZ nuk është e vetme në angazhimin për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, por janë një sërë institucionesh që do të sigurojnë zgjedhje me standarde”.

Top Channel