F1, Hamilton triumfon edhe në Çmimin e Madh të Bahreinit, pas tij Kimi Raikkonen

19/04/2015 00:00

Lews Hamilton nuk ka rival as në Bahrein. Piloti britanik i “Mercedes”-it ka mbajtur kryesimin e kësaj gare nga xhiro e parë deri tek e fundit i pa shqetësuar nga askush, duke regjistruar kështu suksesin e tretë në katër garat e para të këtij sezoni.

Ndryshe nga ajo që pritej gara shkoi keq për pilotët e Ferrarit, Sebastian Vettel dhe Kimi Raikkonen, të cilët e filluan shumë mirë duke lënë prapa Rosberg-un që në fillim, por shumë shpejt gjermani i “Mercedes”-it rikuperoi ndaj të dyve dhe mbajti vendin e dytë deri 2 xhiro nga fundit.

Raikkonen arriti të menaxhojë më mirë potencialin e “Ferrarit” dhe interpretoi më mirë në Bahrein se sa shoku i tij i skuadrës. I ndihmuar nga strategjia e skuadrës, finlandezi i kokëkuqes arriti të kalojë edhe Rosberg dhe të marrë vendin e dytë, ndërkohë që Vettel shpesh herë nën presionin e Rosberg, dëmtoi hundën e makinës dhe u detyrua të bëjë një pit stop ekstra, duke humbur shumë kohë. Në fundin e garës qëndroi për shumë xhiro duke dueluar me Valtteri Bottas të “Williams”, për vendin e katërt, por nuk ia doli mbanë t’i merrte pozicionin duke e mbyllur këtë garë në vendin e pestë.

Pas kësaj fitoreje, Hamilton kryeson renditjen me 93 pikë, Nico Rosberg ka kaluar i dyti me 66 pikë, ndërsa në vendin e tretë me një pikë më pak renditet piloti i Ferrait, Sebastian Vettel. Ndërkohë renditjen e konstruktorëve pas garës së katërt e kryeson “Mercedes” me 159 pikë, “Ferrari” 107, ndërsa “Williams” 61 pikë.

Me Çmimin e Madh të Bahreinit ka përfunduar edhe pjesa e parë sezonale me garat aziatike duke i lënë radhën Europës pas 3 javësh me Çmimin e Madh të Spanjës. 

Top Channel