Balotelli, futbollisti më i ofenduar në internet

17/04/2015 00:00

Pas aventurës të përfunduar keq me Manchester City, Mario Balotelli u rikthye verën e kaluar në Angli për ta riprovuar këtë herë me Liverpulin.

Përzgjedhja e drejtuesve të klubi anglez për të mbushur vendin e lënë bosh nga largimi i Suarez drejt Barcelonës përçau tifozët. Një pjesë u rreshtuan kundër Balotelli-t, ndërsa ata më optimistët kërkuan që t’i jepej kohë lojtarit.

Kur duhen ende disa javë nga mbyllja e Premier Ligës, koha duket se i ka dhënë të drejtë grupit të parë. Në 25 ndeshje Mario ka shënuar vetëm 4 gola dhe asnjëherë paraqitjet e tij në fushë nuk kanë kaluar nivelin e mesatares.

Për këtë, një sondazh mes tifozëve të “The Reds” e ka shpallur Balotelli-n si “Bidoni i shekullit” dhe pjesa më e madhe e të anketuarve mezi presin që të mbërrijë fundi i sezonit dhe ai të largohet prej andej.

Titulli i “bidonit” është vetëm njëri prej rekordeve (negative) të vendosura prej sulmuesit italian. “Kick it Out”, një organizatë që lufton racizmin në Britaninë e Madhe thotë se Mario Balotelli është futbollisti i Premier Ligës më i ofenduari nga përdoruesit e internetit.

Kjo organizatë ka gjetur nga muaji gusht i vitit të kaluar e deri më tani mbi 8 mijë ofendime ndaj sulmuesit, ku 52 përqind e tyre janë me sfond racist.

Tifozët janë aq hakmarrës, siç raporton “DailyMail” sa edhe në një anketë të hapur në faqen zyrtare të Liverpulit në mënyrë ironike është shpallur Mario Balotelli si “lojtar i vitit”.

Top Channel