Suarez: Riparoja makina për të siguruar jetesën

17/04/2015 00:00

Të shumtë janë lojtarët tepër të suksesshëm të botës së futbollit, të cilët tashmë i njohim si njerëz me paga marramendëse apo “faraonike”. Kemi dëgjuar edhe historinë e jetës së Tevezit, shpesh herë madje, që mund të kishte përfunduar në burg apo madje edhe i vrarë për shkak të narkotrafikut. Por, një histori e dhimbshme dhe njëkohësisht e bukur është treguar nga një sulmues tepër i përfolur vitet e fundit: Luis Suarez.

Barcelona duket se ka qenë e shkruar për Luis Suarezin. Jo vetëm për shkak të emrit, pasi dikush me të njëtin emër 60 vjet më parë ishte bërë pjesë e klubit dhe kishte dhënë një kontribut të madh për katalanasit, por edhe sepse qyteti spanjoll ishte destinacioni i gruas së tij, ku u transferua në periudhën e adoleshencës me familjen e saj.

Ndërsa Suarez, një adoleshent i rritur mes varfërisë dhe i pavetëdijshëm për fatin që e priste në të ardhmen, erdhi për ta vizituar përmes një udhëtimi që u transformua në një odise.

“El Pistolero”, siç njihet në Uruguaj, gjatë një interviste të dhënë për një media të vendlindjes së tij së bashku me bashkëshorten Sofia, ka lënë të kuptohet sesa e lehtë ka qenë për Luisin të kapërcejë pa ndonjë traumë të madhe “kafshimin” e bërë ndaj Chiellinit në Botërorin e Brazilit, si dhe skualifikimin e gjatë që pasoi. Kjo, sepse më parë ka hequr edhe më keq sesa ky dënim…

“Kur Sofia më tha se do të transferohej në Barcelonë me familjen e saj, ishte diçka shumë e rëndë. Për shkak të situatës sime ekonomike, ishte e pamundur ta shihja sërish. Ishim një çift të rinjsh, që po ndaheshim. Ditën përpara se të largohej kemi qarë të dy gjatë gjithë natës. Atë ditë kisha një ndeshje për të zhvilluar, por nuk ia dola mbanë, qëndrova në shtëpi dhe vetëm qaja. Deri sa erdhi vëllai im, që më nxorri nga shtëpia dhe më çoi për të luajtur”, ka rrëfyer Suarez.

“Ia arrita të gjeja një mundësi për në Barcelonë, por nuk kisha parà. Ishte sërish vëllai im që më dha sa mundej dhe sa… vetëm 70 dollarë, pak a shumë 40-50 euro. Udhëtimi ishte i gjatë, ndaj dhe unë humba e më ndaluan në doganë. Isha vetëm 16 vjeç dhe nuk kisha asnjë adresë se ku po shkoja. Kisha veshur një këmishë të bardhë dhe nga stresi po më rridhte edhe gjak nga hundët. Sofia më priste në aeroport, avioni ishte ulur prej 2 orësh, ndërsa unë nuk dilja ta takoja. Ndihesha si i burgosur dhe nuk e kuptoja përse. U përpoqa t’u sqaroja policisë se isha duke shkuar të takoja të fejuarën, e cila ishte transferuar. Në atë moment më hapën valixhen dhe gjetën një paketë që ma kishte nisur tezja e saj, ku kishte një adresë dhe një numër telefoni. Pata një fat të çmendur. Folën me babain dhe nënën dhe gjithçka u zgjidh” vijonte të tregonte Suarez.

“Isha shumë i shqetësuar, sepse në shkollë nuk isha shumë i mirë, por nuk më kishin ndaluar kurrë. Në shtëpi më mungonte thuajse gjithçka, por nuk mund të them që më mungonte edhe ushqimi. Megjithatë, nuk e kam për turp të them se në moshën 11-13 vjeçare riparoja makina me gjyshin tim, në mënyrë që të bëja disa parà për t’i çuar në shtëpi. Nënën e kisha gënjyer, duke i thënë se po shkoja te një shok. Por për gjithçka më ndihmoi Sofia, më bëri të kuptoja që nuk isha i pamundur. Filluam të frekuentoheshim që kur isha 15 vjeç dhe ajo 12. Për të kam bërë çmendurira, aq sa kam shkuar në këmbë nga Montevideo deri në Sonymar, plot 21 km largësi”.

Top Channel