Bahrein, provat e lira; sfumohet diktati i Ferrarit, rikthehen Mercedes

17/04/2015 00:00

Ka zgjatur shumë pak diktati i Ferrarit në Bahrein, pasi Mercedes i vendosi gjërat aty ku duhej me kohët rekord në sesionin e dytë të provave të lira.

Rosberg e uli kohën në 1’34”647, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës Leëis Hamilton, me një të dhjetën më shumë. Ferrari kaloi sërish në radhën e dytë, me finlandezin Raikkonen që kishte një kohë me 5 të dhjetat më të ngadaltë se Rosberg, ndërsa diçka më shumë ishte gjermani Vettel, me “kokëkuqen” tjetër.

Alonso ka bërë një tjetër sesion të mirë provash me McLaren-Honda, duke vendosur kohën e 12, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Jenson Button u shfaq sërish me probleme.

Ndërkohë, sesioni i parë i provave të lira për Çmimin e Madh të Bahreinit, që do të zhvillohet këtë të diel në “Sakhir”, u ngjyros me të kuqen e Ferrarit, pasi Kimi Raikkonen dhe Sebastian Vettel rezultuan më të shpejtët. Ndoshta një sinjal ky, që mund të premtojë sërish spektakël në garën e fundjavës, që pritet të jetë tepër e luftueshme.

Mercedesët e Hamilton dhe Rosberg, u dukën për një moment sikur ishin fshehur, mbase një zgjedhje taktike e tyre. Gjithsesi, më shumë sesa këto sesione, vlerë do të kenë performancat e provave zyrtare të së shtunës për “pole position”, si dhe gara e së dielës. Deri më tani, dy “shigjetat e argjendta” vijojnë dominimin, edhe pse u renditen në vendet 15-16 në sesionin e parë, me gjermanin përpara britanikut.

Rezultatet e sesionit të dytë të provave të lira janë këto: Rosberg (Mercedes), Hamilton (Mercedes), Raikkonen (Ferrari), Vettel (Ferrari), Bottas (Williams), Ricciardo (Red Bull), Maldonado (Lotus), Nasr (Sauber), Kvyat (Red Bull), Massa (Williams). Ndërsa rezultatet e sesionit të parë ishin: Raikkonen (Ferrari), Vettel (Ferrari), Bottas (Williams), Sainz (Renault), Ricciardo (Red Bull), Verstappen (Renault), Alonso (McLaren), Nasr (Sauber), Kvyat (Red Bull), Massa (Williams).

Top Channel