Pala shqiptare dëshmon në CAS. De Biasi: Presim me besim

17/04/2015 00:00

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, në Lozanë të Zvicrës, po dëgjon këtë të premte dëshminë e palës shqiptare sa u përket incidenteve dhe dhunës së shkaktuar në ndeshjen me Serbinë në Beograd, më 14 tetor të vitit të kaluar.

Sipas “SuperSport”, i pari që ka dëshmuar ishte kapiteni Lorik Cana dhe pas e trajneri De Biasi. Burime të pakonfirmuara pohojnë për Top Channel se, deklaratat e dy përfaqësuesve tanë u përqendruan te dhuna e tifozerisë serbe dhe pamundësia për të vazhduar ndeshjen në një ambient armiqësor.

Menjëherë pas dëshmisë, trajneri i kuqezinjëve, De Biasi ka komentuar në rrjetet sociale.

“Në orën 11:25 nisa dëshminë time përpara CAS-it të Lozanës dhe pas thuajse një orë e përfundova atë. Tani të presim me besim”, shkruan ai.

Në seancë ka patur edhe përfaqësues serbë, të kryesuar nga sekretari i federatës serbe, Zoran Lakoviç, që u përpoqën të hedhin poshtë pretendimet e palës tonë.

Pasdreke ka nisur dëshmia e ekspertëve ndërkombëtarë të thirrur nga Federata Shqiptare. I pari Profesor Sebastien Beson, i specializuar në çështjet e arbitrazhit dhe i dyti Profesor Doktor Alain Macaluso, një tjetër emër i madh i së drejtës ndërkombëtare.

Agjenda e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë përcakton një seancë të gjatë që përfundon pas orës 18.00 dhe nuk pritet që vendimi të dalë që këtë të premte.

Ndërkohë, sipas një reagimi të Federatës Shqiptare të Futbollit, të publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni, dita në të cilën do të shpallet vendimi do t’i komunikohet FSHF-së në ditët në vijim nga CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv), duke parashikuar kështu mosdhënien e vendimit ditën e sotme.

Seanca dëgjimore e palës shqiptare, që po zhvillohet gjatë ditës së sotme në Lozanë të Zvicrës për ndeshjen Serbi-Shqipëri, pritet të përfundojë rreth orës 19:20.

Top Channel