Champions, Porto befason Bajernin, e mposht 3-1, PSG-Barcelona 1-3

15/04/2015 00:00

Porto ka befasuar Bajernin duke e mposhtur 3-1 në ndeshjen e parë çerekfinale të zhvilluar në “Estadio do Dragao”, ndërsa Barcelona ka marrë një fitore 1-3 në Francë ndaj PSG.

Tre gabime të mbrojtësve të Bajernit janë shfrytëzuar më se miri nga lojtarët e Portos. Gjermanët u gjendën në disavantazh të dy golave që në 10 minutat e para, ku Quaresma realizoi dy herë. Portugezi ktheu në gol një 11-metërsh në minutën e 3-të, ndërsa 7 minuta më vonë e dërgoi sërish topin në portën e mbrojtur nga Manuel Neuer. Ndërkohë gjermanët reaguan duke ngushtuar diferencën e golave në minutën e 27-të me Thiago Alcantara. Pjesa e parë përfundoi me këtë rezultat. Në 45 minutat e dyta Bajerni ishte më superior, por vendasit më të rrezikshëm. Sulmuesi kryesor i Portos, Jackson Martinez, e mposhti për të tretën herë Neuer-in në minutën e 65-të.

Pavarësisht përpjekjeve të të besuarve të Guardiola-s për të shënuar sërish, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund të takimit, duke i minimizuar shanset e Bajernit për të qenë një nga 4 gjysmëfinalistët, megjithatë mbetet për t’u luajtur edhe një 90 minutësh për të vendosur ekipin e kualifikuar.

Në çerekfinalet tjetër të zhvilluar në “Parc des Princes”, mes vendasve të PSG dhe Barcelonës, u shënuan 4 gola, ku 3 nga të cilët u realizuan nga spanjollët.

Braziliani Neymar ishte autori i golit të vetëm të shënuan në pjesën e parë, në minutën e 18-të. Në pjesën e dytë, Luis Suarez realizoi dy herë në të 67-ën dhe 79-ën, duke e çuar rezultatin në 0-3. Vetëm 3 minuta më vonë, Gregory van der Wiel shënoi golin e vetëm për vendasit, për të cilët tashmë kualifikimi është një mision tejet i vështirë.

Ndeshjet e kthimit do të zhvillohen më 21 prill.

Top Channel