Ja çfarë pret De Biasi nga KAS-i

15/04/2015 00:00

Në prag të ditës së dëgjimit të palës Shqiptare në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (në 17 prill), trajneri i Kombëtares sonë të futbollit, Gianni de Biasi, ka dhënë një intervistë të shkurtër për portalin italian “Tuttomercatoweb”.

“Pres me ankth verdiktin”, është shprehur për faqen në fjalë trajneri i kuqezinjve, duke shtuar, “ajo që përjetuam në atë mbrëmje tetori ishte diçka e pabesueshme. Ishte diçka që ka mbetur në mendjen e të gjithëve, lojtarëve dhe tifozëve, pasi të të godasin në fushë është diçka që nuk duhet të ndodhë. Ne kërkojmë të trajtohemi në mënyrë të barabartë”, ka deklaruar De Biasi, duke ju referuar në këtë mënyrë edhe vendimit të UEFA-s në lidhje me ndeshjen Mali i Zi-Rusi.

Ndaj pyetjes nëse pret një vëmendje më të madhe nga ana e UEFA-s për të ardhmen, De Biasi është përgjigjur: “Nga UEFA, pas disfatës në tavolinë dhe ndëshkimit, nuk pres më asgjë. Them vetëm se skuadra jonë në eliminatoret e Europianit është mposhtur vetëm nga situata që s’kanë të bëjnë me futbollin, por kurrë në fushë dhe e gjitha kjo pasi braktisëm fushën për të mbrojtur futbollistët tanë”, përfundon trajneri italian i Kombëtares sonë.

Top Channel