F1, Wolff: Mund të përdorim urdhra skuadre nëse Ferrari na kërcënon

14/04/2015 00:00

Ferrari e ka frikësuar Mercedesin, që tashmë nuk ndihet më i qetë të lejojë pilotët e tij për të luftuar lirshëm me njëri-tjetrin.

Shefi i skuderisë gjermane, Toto Wolff, ka deklaruar se nëse konkurrenca do të bëhet vërtet e fortë me ferraristët, atëherë skuadra do të zgjedhë njërin mes Lewis Hamilton dhe Nico Rosberg për ta ndihmuar më shumë.

“Nëse do të rrezikojmë të humbim ndaj Ferrarit, do të jemi të detyruar të bëjmë një zgjedhje që nuk e kemi bërë deri më sot. Kemi vendosur që pilotët t’i lëmë të lirë të luftojnë me njëri-tjetrin, por kemi përgjegjësi edhe ndaj markës Mercedes. Kemi mijëra persona që punojnë për ne. Nëse do të arrijmë në atë pikë që duhet të ndërhyjmë te pilotët tanë, ne do e bëjmë”, tha Wolff.

Shefi i kampionëve në fuqi të Formulës 1 saktëson: “Nuk kemi më diferencën e vitit të kaluar, kur mund t’i linim të lirë pilotët tanë të bënin çfarë të donin. Në të shkuarën kemi parë shumë urdhra skuderie, kur pilotit pas i është thënë të mos parakalojë shokun e skuadrës edhe pse ishte më i shpejtë. Nuk besoj se do të ndodhë me ne, por i kuptoj skuadrat që e kanë bërë këtë gjë”.

Top Channel