Boban, “shuplaka” lojtarëve dhe Inzaghit: Jeni mediokër

13/04/2015 00:00

E ka kritikuar shpesh Milanin dhe…ndoshta me të drejtë. Kjo, sepse kur ka mbrojtur ngjyrat kuqezi në fushën e blertë, ai kishte në krah disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit europian. “Zorro” konsiderohet prej shumëkujt dhe kujtdo i shkon mendja te kroati Zvonimir Boban, ish-numri 10 i Milanit prej vitit 1991-2002.

Ndëshkimi i fundit vjen pas vërshëllimës së trefishtë të arbitrit të ndeshjes Milan-Sampdoria. “Problemi i Milanit është fakti që ka lojtarë me të vërtetë të padobishëm. Është thuajse e pamundur të krijosh një ekip me të tillë lojtarë. Nuk kuptohet dhe nuk është kuptuar se çfarë mund të japin ende. Edhe Inzaghi nuk ka ndonjë koncept madhor mbi futbollin, por është tepër e vështirë t’i bësh ata të vrapojnë si një ekip, tepër e vështirë. Aty duket sikur ka anarki, më vjen keq ta shoh Milanin kështu”.

Ky “ofendim” i opinionistit, rolin aktual që mbulon ish-lojtar i Milanit, Dinamos së Zagrebit dhe kombëtares së Jugosllavisë, i cili në vitin 1994 fitoi Championsin me kuqezinjtë, ka vijuar të përsërisë thuajse të njëjtën terminologji për të tanishmen e “djallit”.

“Sot kam kuptuar vetëm vlerën e ekipit të Milanit. Të thuash që jam i lumtur pas një ndeshjeje të tillë është tepër e vështirë”. Inzaghi, i cili vetëm pak më parë kishte duartrokitur skuadrën për performancën e dhënë në fushë, nuk bie dakord me të dhe e kundërshton. “Nëse Mihajlovic ndryshoi ekipin gjatë pjesës së dytë, e bëri sepse ne ishim duke luajtur mirë”, tha trajneri aktual i Milanit. Por, Boban ndërhyn sërish dhe sërish i jep një “shuplakë” Inzaghit. “Luajtët më mirë sesa ata, sepse në pjesën e parë ata ishin mediokër”.

E gjithë kjo, shtuar edhe debatin e zhvilluar mes trajnerit dhe prezantuesit të Milan Channel, Massimo Mauro, ndoshta nuk i jep aspak pikë Inzaghit, por aq më pak skuadrës, e cila u kontestua ashpër në fillim të ndeshjes, madje edhe me një mesazh të qartë ndaj presidentit Berlusconi nga ana e tifozëve ultras “Curva Sud”.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel