Tirana mund Vllazninë, Muça përmbysi rezultatin në “Qemal Stafa”

12/04/2015 00:00

Gentian Muça mundi 2-1 Vllazninë në “Qemal Stafa” dhe rikthen Tiranën përkohësisht në vendin e tretë në Superligë.

Mbrojtësi 27-vjeçar me dy golat e tij përmbysi rezultatin dhe prishi planet e shkodranëve, të cilët pas supergolit të Çinarit në pjesën e parë shpresonin të dilnin të fituar ose të paktën me pikë nga kryeqyteti.

Apolonia mundi 2-1 në “Loni Papuçiu” Flamurtarin dhe vazhdon të shpresojë se, edhe sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e Superligës. Fierakët kaluan të parët në avantazh me Andi Ribajn, por gëzimi i tyre zgjati vetëm 6 minuta, pasi Bregu barazoi shifrat.

Atëherë kur të gjithë mendonin se kjo sfidë do të përfundonte në barazim, 18-vjeçari Fili shënoi golin e fitores për Apoloninë, e cila tashmë është në kuotën e 19 pikëve.  

Megjithëse me vështirësi e ka mbyllur këtë fundjavë edhe Teuta, e cila mposhti 1-0 Elbasanin, falë golit të Hysenit në pjesën e dytë.

Java e 30-të e Superligës do të mbyllet të hënën me ndeshjet Kukësi-Laçi dhe Skënderbeu-Partizani.

Top Channel