Bajerni marshon drejt titullit, tjetër humbje e Dortmundit

11/04/2015 00:00

Dy gola të Levandovskit dhe një i Mylerit i kanë dhënë fitoren 3-0 Bajernit të Mynihut në takimin e luajtur në “Allianz Arena” përballë skuadrës së Entrahtit të Frankfurtit.

Goli i parë u shënua në minutën e 15 nga sulmuesi polak i bavarezëve që çoi në rrjetë një top të marrë në pozicion të dyshimtë prej Mylerit.

Në minutat në vazhdim, Bajerni u përpoq të gjejë golin e qetësisë, që do të vinte vetëm në minutën e 66 të takimit me autor sërish Levandovskin. Rezultati vendoset në minutën e 82 nga Myler, një prej më të mirëve të Bajernit në fushë me një asist dhe një gol.

Pas kësaj fitoreje Bajerni ngjitet në kuotën e 70 pikëve.

Ndërkohë, në takimet e tjera, Leverkuseni ka fituar në transfertë 2-3 përballë Manzit. Fitorja blindon vendin e katërt për ‘Aspirinat’, që kanë tashmë 51 pikë, plotë 10 pikë më shumë nga Schalke që barazoi pa gola me Freiburgun.

Dortmundi i Jurgen Klopp ka pësuar humbjen e radhës, këtë herë prej Borusia Mynchengladbah. Vendasit fituan 3-1 dhe mbajnë vendin e tretë të tabelës, pas Volfsburgut të vendit të dytë.

Top Channel