Renditja e FIFA-s, Shqipëria e 57-ta. Zvicra e Spanja zbresin Francë-Itali nga “Top 10”

09/04/2015 00:00

Renditja e FIFA-s për këtë muaj ka pësuar disa ndryshime të rëndësishme dhe domethënëse. Por ajo që bie më shumë në sy është ngjitja e Shqipërisë me 4 vende, duke u pozicionuar në vendin e 57 me 575 pikë, sigurisht edhe për shkak të fitores së 29 Marsit në “Elbasan Arena”, 2-1 ndaj Armenisë.

Sa u përket kombëtareve të tjera, Belgjika është ngjitur në vendin e tretë, me një pozicion të rikuperuar, duke siguruar kështu renditjen më të mirë të të gjitha kohërave, pas dy fitoreve në kualifikueset e Europianit 2016. Tashmë, belgët ndjekin Gjermaninë dhe Argjentinën, të pandryshuar këto dy vende prej muajit të kaluar.

Edhe Brazili ka rikuperuar një pozicion, duke u ngjitur në të pestin, e duke këmbyer vendet me Holandën, që tashmë e sheh veten në vendin e 6. “Selecao” mposhti 3-1 Francën në një miqësore, ndërsa Holanda barazoi ndaj Turqisë (në vendin e 52 me 4 pozicione të rikuperuara) gjatë përballjes për kualifikueset e Euro 2016.

Zvicra dhe Spanja janë rikthyer në dhjetëshen e më të mirëve, respektivisht në pozicionet 9 dhe 10, duke pasur kështu përmirësime me 3 pozicione dhe 1 konkretisht për “La Roja”. Por ndryshe nga to, Franca dhe Italia janë larguar nga “Top 10”, duke zënë tashmë pozicionet 11 dhe 13 respektivisht.

Renditja e ardhshme e FIFA-s për ekipet kombëtare do të publikohet më 7 Maj 2015.

Top Channel