F1, Alonso: Nëse Ferrari fiton kampionatin, do të thotë që kam gabuar

09/04/2015 00:00

Fernando Alonso nuk është penduar për largimin nga Ferrari. Piloti spanjoll i McLaren ka deklaruar në një intervistë për spanjollen ‘AS’ se vetëm nëse skuderia italiane do të fitojë kampionatin, do të thotë që ai ka gabuar në zgjedhjen e tij.

Sebastian Vettel fitoi garën e Malajzisë duke habitur të gjithë me performancën e tij, por Alonso thekson se një garë e fituar nuk e bën Ferrarin pretendent për titullin kampion, të cilin ai nuk e fitoi kurrë me “Kokëkuqen”.

“Në nëntor do të shohim nëse kam gabuar që u largova apo jo. Nëse Ferrari fiton titullin, do të kem gabuar; nëse dalin të dytët, do të thotë që kam marrë vendimin e duhur. Në pesë vite me Ferrarin kam dalë 3 herë i dyti. Nuk doja të dilja më i dyti”, u shpreh Alonso.

Provat zyrtare të Çmimit të Madh të Kinës do të zhvillohen të shtunën në orën 09:00, ndërsa gara do të zhvillohet të dielën në orën 08:00. Të dyja këto evente do të mund t’i ndiqni drejtpërdrejtë në Top Channel.

Top Channel