UEFA.com, rikthehet si “trending” çështja Serbi-Shqipëri

08/04/2015 00:00

Mund të duket ironike, por është mëse e vërtetë: vendimet me dy standarde të UEFA-s nuk rezultojnë të tilla vetëm për shqiptarët.

Vetëm pak momente pas qarkullimit nëpër mediat e huaja botërore, sportive ose jo, të lajmit për dhënien e fitores në tavolinë 3-0 në favor të Rusisë, në ndeshjen e braktisur ndaj Malit të Zi për shkak të goditjes së portierit rus nga një flakadan, në faqen zyrtare të trupës më të lartë qeverisëse të futbollit europian, UEFA.com, në seksionin kushtuar kualifikueseve të Europianit 2016 të bie në sy rikthimi në vëmendje i ndeshjes Serbi-Shqipëri.

Ndër 8 lajmet e fundit, që faqja zyrtare e UEFA-s i cilëson si “trending now”, apo ato më të përfolurat së fundi, menjëherë pas lajmit të ndeshjes Mal i Zi-Rusi rezultonin dy të tjerat që kishin lidhje me Serbi-Shqipëri. Ishin pikërisht vendimet e Komisionit të Disiplinës të UEFA-s dhe të Komisionit të Apelit të UEFA-s, të cilat ndëshkuan Shqipërinë me humbje të ndeshjes në tavolinë dhe nga ana tjetër i hoqën 3 pikë Serbisë.

Ndoshta kjo nuk na ngushëllon aspak, por shpresa vdes e fundit dhe shpresat e shqiptarëve dhe Kombëtares kuqezi janë tashmë te Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), në Lozanë të Zvicrës, kur pas disa ditësh pritet vendimi nga juristë profesionistë.

Megjithatë një pyetje na lind natyrshëm. Cili është ndryshimi mes një flakadani mbi kokën e Akinfeev dhe një stoli mbi kokën e Bekim Balajt? Asnjë ndryshim për Platininë, për të cilin droni mbi “Partizan Stadium” mund të “përbante edhe një bombë”…

Top Channel