F1, Raikkonen: Kemi një makinë të mirë

08/04/2015 00:00

Kimi Raikkonen beson se Çmimi i Madh i Kinës do të konfirmojë përmirësimet e Ferrarit. Piloti finlandez ka deklaruar se njëvendëshja SF15-T do të jetë e shpejtë, pavarësisht kushteve të motit në fundjavë.

“Ndoshta në Malajzi na ndihmoi i nxehti në paraqitjen tonë, por kemi një makinë të mirë dhe kjo gjë u pa”, tha Raikkonen, i cili shtoi se objektivi i skuderisë italiane për këtë sezon është të afrohet sa më shumë me Mercedesin.

“E dimë që nuk jemi aq të shpejtë sa Mercedesi në një xhiro të vetme, por po punojmë fort. Duke parë fundin e sezonit të kaluar dhe fillimin e këtij sezoni, përmirësimi është i dukshëm, kemi bërë hapa përpara. Do të mundohemi që pak nga pak t’i afrohemi Mercedesit. Edhe pse Vettel fitoi në Malajzi, duhet të punojmë për t’u përmirësuar më tej”, deklaroi Kimi Raikkonen.

Top Channel