Dopingu në peshëngritje, Gjoza: Sportistët, të pafajshëm. Akuza mjekëve grekë

07/04/2015 00:00

Për herë të parë pas zyrtarizimit të skandalit më të madh të historisë së peshngritjes shqiptare, presidenti i kësaj federate Elez Gjoza, nga të paktit të mbetur ende pa dhënë dorëheqjen, tregon versionin dhe dyshimet e tij rreth asaj që ka ndodhur me sportistët në Greqi.

“Ushqimi në Greqi vinte me katering, në çdo porcion kishte emrin e sportistit. Xhelozia është prezente ndërmjet federatave dhe ndërmjet shteteve. Unë them që një gjë e tillë është bërë me dashje dhe me qëllim. Mund të jetë abuzuar me kateringun e sportistëve tanë. Dua të shtoj se mjeku, që punon në Federatën greke, ka ndihmuar edhe ekipin turk dhe me të njëjtën substancë janë kapur edhe 11 sportistë të ekipit turk. Gjërat nuk janë rastësore”, tha Elez Gjoza, president i Federatës Shqiptare të Peshngritjes.

Edhe pse ishte siguruar përpara garës nga Luan Shabani, se sportistët ishin të pastër, rezultatet e analizave treguan të kundërtën. Që nga ky moment, presidenti Gjoza sqaron se ka pasur vetëm një kontakt me trajnerin, që stërviti ekipin tonë në Athinë, Luan Shabani, i cili ka përjashtuar sportistët nga kjo ngjarje.

“Unë i kam bërë prezent të gjitha gjërat, që nga dita e parë me takimin me Luan Shabanin, deri në daljen pozitiv të sportistëve. Po ju garantoj se Luan Shabani nuk ka shprehur absolutisht asgjë. Ai më ka garantuar vetëm një gjë, që sportistët nuk kanë faj, vetëm këto kanë qenë fjalët e Luan Shabanit”, shprehet më tej Elez Gjoza.

Arben Carkanji, Theodhor Maslavica, Ndriçim Pulaku, Muharrem Berisha janë anëtarët e Komitetit, që kanë dhënë dorëheqjen pas këtij skandali dhe, sipas presidentit, janë ata personat që vendosën e mbështetën vendimin për të çuar ekipin përfaqësues në Greqi, përjashtuar këtu Ilir Kullën, ish-zv.president, që ka dhënë gjithashtu dorëheqjen.

“Kryesia ka statusin e vendimmarrjes dhe vendos për stërvitjen e ekipit kombëtar në Greqi. Jo rastësisht 4 anëtarë kryesie dhanë dorëheqjen. Unë e kam shumë të thjeshtë të jap dorëheqjen, është gjëja më e lehtë dhe akti më i thjeshtë që mund të bëj. Por unë jam nga ata njerëz që edhe kur rrëzohem di të ngrihem dhe të eci sërish përpara. Këta sportistë të mëdhenj do të thonë përsëri fjalën e tyre”, deklaroi Elez Gjoza.

Top Channel