Legjionarët, shënojnë sulmuesit e Kombëtares. Gashi, Balaj dhe Cikalleshi

05/04/2015 00:00

Tre sulmuesit e Kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi, Bekim Balaj dhe Sokol Cikalleshi, por edhe mesfushori Andi Lila janë bërë pjesë e suksesit të skuadrave të tyre respektivisht në kampionatin zviceran, kroat (Balaj, Cikalleshi) dhe atë italian.

Protagonisti i fitores me Armeninë, Shkëlzen Gashi shënoi dy gola për Bazelin në fitoren 6-0 ndaj Aarau. Goli i dytë i tij dhe i fundit i ndeshjes ishte më spektakolari, pasi e shënoi nga një distancë e largët. Me këtë dygolësh, Gashi vazhdon të ruajë vendin e parë të listës së golashënuesve të sezonit në kampionatin zviceran, me 20 gola.

Sokol Cikalleshi u bë heroi i RNK Split, pasi shënoi golin e fitores në derbin përballë Hajdukut, triumfi i parë ky për RNK në stadiumin e ekipit rival të të njëjtit qytet.

Bekim Balaj ishte një tjetër shqiptar, që regjistroi emrin e tij në listën e golashënuesve të kësaj fundjave në kampionatin kroat. Shkodrani zhbllokoi sfidën mes Rijekës dhe Dinamos së Zagrebit, e cila në fund përfundoi në barazim 2-2, rezultat ky që mban skuadrën e Rijekës në vendin e dytë të kampionatit vendas.

Një tjetër gol i rëndësishëm kuqezi ishte edhe ai, që Andi Lila i shënoi Interit në “Giuseppe Meazza”. Supergoli i mesfushorit kavajas, i dyti me fanelën e Parmës, bëri që skuadra e Mancinit të humbasë dy pikë në shtëpi dhe t’i largohet gjithnjë e më shumë zonës së kupave të Europës.

Top Channel