Milani rikthehet te fitorja në transfertë pas 5 muajsh e gjysmë

05/04/2015 00:00

Milani ka mundur të fitojë një ndeshje në transfertë pas plot 5 muajsh e gjysmë, dhe këtë e bën duke mposhtur 2-1 Palermon në Siçili, duke siguruar kështu edhe një “hakmarrje” pas asaj humbjeje në “San Siro”, në ndeshjen e fazës së parë me “rosanero”-t.

Edhe pse vështirësitë për të kapur vendin e 6 në klasifikim, i cili të kualifikon për në Europa League vitin e ardhshëm janë ende të mëdha, kuqezinjtë duket se janë rikthyer të buzëqeshin në kampionat, pas golit të parë sezonal të Alessio Cercit, i cili u rikthye të luante si titullar nga Inzaghi, dhe golit të të zakonshmit Menez, i 16-ti gjatë këtij sezoni të Serie A, edhe pse Palermo kishte barazuar më herët me anë të një penalltie të realizuar nga Dybala.

Loja sërish nuk ka qenë spektakolare, por faktor ngushëllues ka qenë pikërisht aftësia për të reaguar pasi u gjendën për një farë kohe në barazim, e për më tepër në transfertë, ku Milani kishte kohë që nuk fitonte.

Në ndeshjen e mbrëmjes, atë mes Juventusit dhe Empolit, Tevez dhe Pereyra ishin autorë të dy golave në një sfidë të rezistuar deri në fund nga miqtë, por bardhezinjë thjeshtë sa “bënë detyrën” për të siguruar 3 pikët e radhës, duke rikthyer sërish distancën prej 14 pikësh nga Roma.

Top Channel