Bayern merr një tjetër goditje, ka përfunduar sezoni për Alaban?

01/04/2015 00:00

Pas Arjen Robben, i cili për shkak të një problemi muskulor do të qëndrojë jashtë fushave të blerta deri në fund të këtij muaji, një tjetër kambanë alarmi ka rënë në shtëpinë e Bayern Munchen.

Pep Guardiola ka humbur një tjetër “as” të vlefshëm të skuadrës së tij, përpara çerekfinaleve të Champions League ndaj Portos, ku ndeshja e parë është programuar për më 15 prill në Portugali.

Këtë herë, ai që është ndalur është Alaba, i dëmtuar gjatë ditës së martë në miqësoren mes Austrisë dhe Belgjikës. Fillimisht u mendua për një ndalim prej pak javësh, por parashikimet ndryshuan sot pas testimeve mjekësore të cilave iu nënshtrua austriaku, të cilat treguan këputje të ligamentit kolateral medial të gjurit të majtë.

Ndaj, përballë një dëmtimi kaq të rëndë, pritet një ndalesë prej të paktën 7 javësh, që duke parë periudhën aktuale të sezonit do të thotë se ai mund të jetë i gatshëm vetëm në përfundim të të tij, apo më saktë për fillimin e sezonit të ardhshëm.

E megjithatë, austriaku nuk i ka humbur shpresat për rikuperim. “Në këto momente jam shumë i trishtuar. Por jam ende shpresëplotë për një objektiv të madh, rikthimin përpara fundit të këtij sezoni. Tashmë do të mendoj vetëm për më të mirën e mundshme dhe do të bëj gjithçka të mundshme, për t’u riaftësuar sa më shpejtë”, ka thënë lojtari.

Top Channel