Shqipëria mund Armeninë 2-1, Mavraj dhe Gashi përmbysin rezultatin

29/03/2015 00:00

Një përmbysje e madhe që çon përpara ëndrrën e Shqipërisë për të marrë pjesë në Europianin “Euro 2016”.

Kështu mund të cilësohet ndeshja e zhvilluar të dielën në “Elbasan Arena”, ku kuqezinjtë mposhtën me rezultatin 2-1 Armeninë.

Në një stadium të tej mbushur dhe një atmosferë entuziazmante, të nisur disa orë përpara fillimit të ndeshjes, Kombëtarja e Shqipërisë zbriti në tapetin e blertë të stadiumit të Elbasanit, me dëshirën dhe qëllimin e vetëm, marrjen e tre pikëve.

Me një formacion me dyshime deri në minutën e fundit, për aktivizimin apo jo të Mavrajt, i cili nuk ishte rikuperuar plotësisht nga dëmtimi, apo edhe për vendosjen në fushë të 11 të përzgjedhurve të De Biasit, ndeshja nisi në mënyrën më të keqe për Kombëtaren kuq e zi.

Në minutën e 4-ët të ndeshjes, me një aksion të nisur nga ylli i skuadrës mikë, Mikitarian, ky i fundi krosoi në zonë një top, i cili i devijuar nga Mergim Mavraj, përfundoi në rrjetën e Berishës. 0-1 dhe i gjithë stadiumi hesht.

Një heshtje që nuk do vijonte gjatë, pasi Kombëtarja e Shqipërisë, pas disa minutash jo të mira pas pësimit të golit, arrin ta rigjejë lojën e saj.

Ishin krosimet e Ansi Agollit të ardhura nga krahu i majtë, ato që sillnin më shumë tension në zonën armene. Shtyllat, por edhe portieri armen, arritën që të ruanin rezultatin 0-1 deri në përfundim të pjesës së parë.

Pas daljes nga dhomat e zhveshjes, De Biasi bën lëvizjen e tij. Largon nga loja Ledian Memushajn dhe Armir Abrashin dhe në vend të tyre aktivizohet Shkëlzen Gashi dhe Ermir Lenjani, lojtarë këta që ishin menduar nga të gjithë se mund ta nisnin nga minuta e parë ndeshjen.

Dhe duket se ishte pikërishte kjo lëvizje, ajo që i dha një tjetër fytyre ekipit tonë në pjesën e dytë të ndeshjes, 45 minutat e së cilës u zhvilluan pothuajse të gjitha në mesfushën armene.

Cikalleshi, Mavraj, Gashi, tentojnë disa herë portën, por është shtylla ajo e cila i vjen në ndihmë në shumë raste Armenisë. Por pavarësisht presionit të vazhdueshëm, serish nuk po arrihej të gjendej rruga e rrjetës, e për këtë arsye, De Biasi fut në lojë, një njohës të mirë të golit, Hamdi Salihin, në vend të Odise Roshit.

Në minutën e 70, pas disa ndërhyrjeve të njëpasnjëshme ndaj Lenjanit, lojtari armen Hambardzumyan, ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë ekipin e tij me 10 vetë.

Do duhej të vinte minuta e 77, ku pas një goditje këndi nga Taulant Xhaka, Mërgim Mavraj me kokë e çon topin në portë, duke barazuar shifrat 1-1. Por nga ajo që është prodhuar në fushën e lojës, Kombëtarja jonë nuk mund të pajtohej me këtë rezultat dhe hidhet sërish në sulm në kërkim të golit të fitores, i cili nuk do vononte shumë.

Vetëm 5 minuta më pas, në një aksion të nisur nga Gashi, në kombinim me Cikalleshin dhe Lenjanin, ylli i Bazelit dhe golashënuesi më i mirë i kampionatit zviceran, Shkelzen Gashi, shënon golin e fitores. Një gol, i cili ngriti në këmbë jo vetëm stadiumin “Elbasan Arena”, por gjithë Shqipërinë.

Një fitore e kërkuar dhe e arritur pas 14 goditjesh, një presioni të vazhdueshëm dhe një dëshire të madhe për ta marrë këtë 3 pikesh. Një trepikësh, i cili forcon pozitat e Kombetares Shqiptare në vendin e 3 me 7 pikë, po aq sa Danimarka e vendit të dytë.

Një vendi i tretë i Kombëtares tonë, çka përkthehet në një biletë për në Play-of. Janë 6 pikë diferencë, të cilat bëjnë që shqiptarët të mos ëndërrojnë më për të qenë pjesë e Euro 2016, por të besojnë se kjo ëndërr është gjithnjë e më e realizueshme.  Një ëndërr nga e cila duam të zgjohemi në “France 2016”.

Top Channel