Giani de Biasi, që sot 100% shqiptar

28/03/2015 00:00

Giani de Biasi, që sot nuk do të cilësohet më “trajneri italian i
kombëtares shqiptare të futbollit”. Presidenti i Republikës, Bujar
Nishani i dekretoi shtetësinë shqiptare 58-vjeçarit, duke i
plotësuar dëshirën që kishte shprehur ky i fundit, vetëm një ditë para
ndeshjes shumë të rëndësishme kundër Armenisë.

De Biasi mori pasaportën e re gjatë vizitës që Nishani zhvilloi në grumbullimin e kombëtares kuqezi.

Pak kohë më parë, Xhani De Biazi kishte deklaruar në një intervistë të dhënë për faqen e grupimit “Tifozat Kuq e Zi”, se dëshironte të pajisej me pasaportën shqiptare, favor që shpresonte t’ia bënte Kryeministri Edi Rama.

“Do isha me të vërtetë shumë krenar. Tek e fundit jam martuar me një shqiptare… Kombëtaren kuqezi, ka 3 vite e pak”, ishte komenti i trajnerit të përfaqësueses. Në fakt, këtë dëshirë do t’ia plotësojë Presidenti i Shqipërisë, në zyrën e të cilit rreth dy javë më parë kanë mbërritur dokumentet që nevojiten për t’i dhënë shtetësinë shqiptare De Biazit. FSHF kishte përgatitur prej kohësh dosjen e plotë, ndërsa është pritur pikërisht ndeshja me Armeninë për të plotësuar dëshirën e trajnerit, duke zyrtarizuar gjithçka në takimin e sotëm të tij me Presidentin Nishani.

De Biasi ka marrë drejtimin e Shqipërisë në dhjetorin e vitit 2011 dhe gjatë kohës së kaluar në vendin tonë ka arritur të përvetësojë gjuhën shqipe, edhe pse nuk e flet rrjedhshëm. Megjithatë, gjatë konferencave për shtyp, ai e ka bërë të zakonshme që t’u përgjigjet pa pasur nevojë për përkthim pyetjeve në shqip, shpesh edhe me fraza në gjuhën shqipe. Të hënën, në konferencën e tij të fundit për shtyp, ai bëri të ditur se po përvetësonte edhe “Himnin e Flamurit”, të cilin e kishte dëgjuar shpesh gjatë kohëve të fundit në “YouTube”, ndërsa premtoi se pasi të merrte shtetësinë shqiptare, do të provonte edhe ta këndonte.

Zgjedhja e De Biazit për t’u bërë shqiptar ndikon edhe në “xhepin” e trajnerit të përfaqësueses, pasi ai tashmë do të taksohet si shtetas i vendit tonë dhe jo si italian për të ardhurat që përfiton në drejtimin e kombëtares. Në Itali, rroga e tij prej 280 mijë eurosh në vit (ku përfshihen edhe shuma prej 60 mijë eurosh që përfitojnë bashkëpunëtorët e tij italianë në staf), tatohet me 42%. Në vendin tonë, tatimi maksimal mbi të ardhurat e tij është 23%, që do të thotë se me marrjen e shtetësisë shqiptare, De Biazi do të përfitojë automatikisht një “rritje rroge”, falë taksave më të ulëta që do të paguajë në të ardhmen si shtetas shqiptar.

Top Channel