F1, Alonso: Mbaj mend gjithçka nga aksidenti

26/03/2015 00:00

Fernando Alonso ka folur për herë të parë për aksidentin që pësoi në testimet e Montmelosë dhe që e pengoi të merrte pjesë në garën e parë sezonale të Formulës 1, Çmimin e Madh të Australisë.

Piloti spanjoll i McLaren-Honda tha se mban mend gjithçka nga aksidenti dhe se media ka shkruar gjëra të pavërteta: “E mbaj mend shumë mirë. Ishte faji i timonit që ishte bllokuar nga e djathta, nuk ka të bëjë fare era. Nuk është e vërtetë edhe që unë jam zgjuar në spital duke menduar se isha në vitin 1995 dhe që flisja italisht.”

“E humba vetëdijen në ambulancë dhe jo para përplasjes. Humba ndjenjat nga medikamentet që të japin në raste të tilla”, shtoi piloti spanjoll.

Alonso thotë se skuadra e tij e ka pasur shumë të vështirë të gjejë shkakun e aksidentit në Montmelo: “Ishte një problem në timon, por që të dhënat nuk e tregojnë. Nuk mund të themi se çfarë ndodhi saktësisht. Ndoshta do të gjejmë diçka, por nëse nuk e kemi gjetur deri tani, ka mundësi mos e gjejmë kurrë.”

Top Channel