Verratti, titullar ndaj Bullgarisë: Vështirë të zëvendësosh Pirlon

25/03/2015 00:00

“Më krahasojnë me Pirlon? Një lojtar si ai vështirë të ketë të dytë në futboll, por unë përpiqem të kuptoj se çfarë kërkon Conte nga mua, për ta vënë në praktikë në mënyrën më të mirë të mundshme”. Kështu është shprehur Marco Verratti, mesfushori italian i Paris St Germain, i cili do të jetë titullar në sfidën mes Italisë dhe Bullgarisë, që do të luhet të shtunën në Sofje.

“Është normale që në kombëtare të mos jem titullar, kur kam përpara lojtarë si Pirlo e De Rossi. Më duhet të shfrytëzoj më së miri këtë rast që më jepet, por mos më thoni që jam unë ai që duhet të marr frenat e Italisë në duar. Nëse nuk je si Messi apo Maradona, kombëtarja nuk mund të jetë kurrsesi e një personi të vetëm. E megjithatë, do të ishte bukur që të isha simbol i ndryshimit të gjeneratave të Italisë”, ka shtuar më tej Verratti.

Verratti është i vetmi lojtar i kombëtares axurre të drejtuar nga Conte, i cili nuk ka zhvilluar as edhe një ndeshje të vetme në Serie A. “Kjo nuk më shkakton probleme. Nëse do të ankohesha për këtë, do të thoshit që nuk ndihem mirë në Paris. Është e qartë që çdo futbollist italian do të donte të luante në Serie A, por po përjetoj një eksperiencë të bukur në Paris. Atje kam mundësinë të luaj me kampionë të mëdhenj, si Ibrahimovic, ndaj dhe më jepet mundësia për t’u përmirësuar në çdo aspekt të lojës, sidomos në anën psikologjike”.

Top Channel