Dunga, në Paris për të dëbuar “tri djaj” të së shkuarës

25/03/2015 00:00

Trajneri i Brazilit, Carlos Dunga, do të rikthehet në vendin e një prej zhgënjimeve më të mëdha të karrierës së tij, kur të udhëheqë “Selecao”-n kundër “gjelave” të Francës, në “Stade de France” të Parisit, ditën e enjte.

Dunga ka qenë kapiten i Brazilit në vitin 1998, kur kombëtarja e tij u mposht thellë nga Franca e frymëzuar prej Zinedine Zidane, në finalen e Botërorit të atij viti. Ish-kampioni i botës në vitin 1994 si lojtar, tashmë si trajner përballet me sfidën për të rindërtuar nga e para një ekip të “shpartalluar” keqazi në tokën e tyre, gjatë Botërorit “Brazil 2014”, ndërsa në këtë miqësore do të përpiqet të dëbojë “tri grupe djajsh”.

Së pari, kjo ndeshje do të jetë një çlirim nga ankthi personal i finales, në të cilën dygolëshi i Zidanes ndihmoi organizatorët vendas të triumfonin 3-0 ndaj Brazilit, duke arritur suksesin e parë në një Botëror. Ndërkohë, më tej do të duhet të dëbojë edhe ‘djajtë’ e një vendi që u trondit tej mase nga humbja 7-1 në gjysmëfinalen e Botërorit 2014 nga Gjermania kampione, për të mos harruar këtu edhe triumfin e Holandës 3-0 ndaj tyre, në “play-off”-in për vendin e tretë.

Luis Felipe Scolari, i cili udhëhoqi Brazilin drejt triumfit të Botërorit 2002, u shkarkua nga “Selecao” pas turneut në tokën braziliane, duke rikthyer në këtë post Dungën, i cili e ka drejtuar edhe gjatë viteve 2006-2010 Brazilin. Ndërsa “djalli” i fundit për t’u dëbuar është fakti se, pavarësisht fitimit të Kupës së Amerikës në vitin 2007, ai u shkarkua nga kombëtarja herën e parë, për shkak të eliminimit në çerekfinalet e Botërorit të Afrikës së Jugut 2010, sërish nga Holanda.

Dhe gjithçka që ka në mendje Dunga për këtë “hakmarrje personale” mbështetet kryesisht te më e mira e mundshme që mund të japë Neymar, i parë gjerësisht në Brazil si një talent i klasit botëror. “O’Ney” renditet i treti ndër golashënuesit në La Liga të Spanjës, pas dyshes Messi-Ronaldo, por nuk ka mundur të shënojë shpesh këto dy muajt e fundit.

Në krahun tjetër, ndalimi i Neymarit nuk është objektivi primar i trajnerit francez Didier Deschamps, pasi ky i fundit synon të përgatisë një ekip sa më të denjë për të konkuruar për lavdi në tokën e tyre, kur të organizojnë Europianin e vitit të ardhshëm.

Dilema e vetme e Deschamps ka të bëjë me sulmin, pasi qoftë Karim Benzema i Realit, Olivier Giroud i Arsenalit, ashtu dhe Antoine Griezmann i Atletico Madridit janë të gjithë në një formë të shkëlqyer. Për të mos përmendur këtu Alexandre Lacazette, golashënuesi më i mirë i Ligue 1 në Francë, me ekipin e Lionit, si dhe shoku i tij i skuadrës Fekir, Payet i Marseille dhe Valbuena i Dinamos së Moskës.

Top Channel