Shqipëri-Armeni, policia publikon masat e marra për zhvillimin e ndeshjes

25/03/2015 00:00

Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e takimit Shqipëri-Armeni, ndeshje e cila do të luhet në datën 29 mars, ora 18:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Policia kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, lidhur me bllokimin e disa akseve rrugore.

“Do të bllokohet shëtitorja nga stadiumi deri te ‘1 Maji’, do të bllokohet rruga nga Bashkia deri te shkolla Pedagogjike, sheshi përpara pallatit të Sportit ‘Tomor Sinani’, si dhe rrethrrotullimi i luleve deri te rrethrrotullimi i Zaranikës. E gjithë shëtitorja kryesore do të jetë në dispozicion të tifozëve, meqenëse do të kenë organizime në vijimësi të këtij aktiviteti. Ju bëj me dije se hyrja në stadium e sportdashësve do të jetë dy orë përpara ndeshjes, me qëllim shmangien e radhëve në hyrje dhe kontrollin e biletave, të cilat në këtë stadium janë dixhitale. Të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet janë të lutur të mos kenë me vete sende të forta, shishe të çfarëdolloji, fishekzjarrë, shkopinj që mbahen për flamujt, apo sende të tjera që në gjykimin e policisë përbëjnë shkelje të rendit dhe sigurisë”, tha Neritan Nallbati, drejtor i Policisë Elbasan.

Në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv do të jenë të angazhuar 320 efektivë policie, përfshirë edhe Sektorin kundër Krimit Ekonomik, i cili do të punojë për parandalimin e shitjes së biletave në treg të zi.

Top Channel