De Biasi frenon euforinë, vlerëson Armeninë

23/03/2015 00:00

Në prag të ndeshjes me Armeninë, ndër më të rëndësishmet e grupit tonë eliminator për “Euro 2016”, kur kanë mbetur më pak se 7 ditë, trajneri Gianni De Biasi, në një konferencë për shtyp, ka bërë një përmbledhje të situatës përpara kësaj ndeshjeje, duke frenuar disi euforinë e cila këtë herë vjen në sajë të emrit jo të madh të kundërshtarit të radhës.

“Për ndeshjen e radhës kemi një kundërshtar shumë të vështirë dhe gjatë kësaj periudhe që kemi qenë pushim kam kuptuar se ne nuk po e kuptojmë se me kë po përballemi. Më takojnë njerëz në rrugë e më thonë “vetëm fitore” me Armeninë. Por, për ta fituar një ndeshje nuk është e lehtë, kërkohet një përgatitje maksimale. Vërtetë që kundërshtari ynë në 3 ndeshjet eliminatore ka humbur 2 dhe ka barazuar 1. Ata luajnë shumë mirë si skuadër dhe ne nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë detaj në këtë ndeshje, pasi në fund të 90 minutave detajet vendosin. Nga ana tjetër, edhe ne kemi bërë gjëra shumë të mira deri tani, por asnjëherë nuk duhet të jemi të kënaqur. Autoriteti, bindja dhe mentaliteti që kemi krijuar deri tani, na ka ndihmuar shumë, por nuk duhet të mendojmë se jemi bërë skuadër e mirë. Ne duhet të tregohemi të aftë të kuptojmë se cilat janë limitet tona”, u shpreh trajneri italian i kombëtares sonë.  

Veç komenteve për situatën e lojtarëve tanë dhe të kundërshtarëve, De Biasi ka bërë publik edhe grupin e lojtarëve që ka grumbulluar për këtë ndeshje. Një listë e gjatë dhe e plotë në të gjitha repartet. Më në fund duket se skuadra është e plotë dhe si gjithmonë do të jetë gati për një ndeshje, e cila për De Biasin nuk mund të na kënaqë me një barazim, pasi duhet të futemi në çdo përballje për të fituar.

Nga ana tjetër, trajneri italian, i cili është pranë marrjes së pasaportës shqiptare, veç skuadrës, euforisë, karakterit apo taksave, që i ka të preferuara nga shqiptarët, ka edhe diçka që nuk i pëlqen, sidomos në prag të ndeshjeve: “Nuk më pëlqen fakti që ju gjithmonë këndoni përpara se të fillojë festa. Mundohuni të jeni të qetë, filloni shkëlqeni instrumentat, rregulloni zërin për momentin e duhur, këto lloj euforirash shqiptare nuk më pëlqejnë.”

Top Channel