Guardiola: Mos nënvlerësojmë Porton

20/03/2015 00:00

Bajerni shihet si superfavorit për biletën e vetme të gjysmëfinales që do ta diskutojë me portugezët e Portos.

Por sërish, trajneri Pep Guardiola kërkon të mbajë të vetët me këmbë në tokë duke vlerësuar kundërshtarin, që nga ana tjetër vjen në këtë ndeshje me synimin për të përsëritur suksesin e finales së 27 Majit të vitit 1987, kur mundte 2-1 gjigantët gjermanë të futbollit.

Pikërisht kjo humbje, është e vetmja që bavarezët kanë me skuadrat portugeze nga 22 takimi, ku kanë fituar 13 dhe barazuar 8 të tjerat.

“Shorti është short. Të gjitha skuadrat në këtë fazë kanë cilësi të veçanta. Porto dhe Shakhtar ishin në të njëjtin grup dhe ne kemi ndjekur disa ndeshje të tyre. Porto ka një skuadër të mirë, janë të fortë fizikisht dhe me një sulm të rrufeshëm. Megjithatë, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale, askush nuk pret një ndeshje të lehtë”, deklaroi Pep Guardiola.

Kapiteni i Bajernit, i cili u rikthye së fundmi pas një dëmtimi të gjatë që e mbajti larg fushave u shpreh i kënaqur.

“Mund të kishim përballë një kundërshtar më të parehatshëm. Megjithatë, edhe Porto është një skuadër e rrezikshme. Arriti në çerekfinale duke u treguar bindës në cilësitë e tyre”, tha Lahm duke shtuar se synimi është që të merret një rezultat pozitiv që në Portugali, megjithëse sipas tij në futbollin modern nuk ka më rëndësi se ku zhvillohet takimi i parë.

Për portugezët shorti rezervoi njërën prej dy skuadrave që nuk dëshironin.

“Megjithatë asgjë nuk është e pamundur dhe takimi nis 0-0. Jemi ndeshur me Bajernin në vitin 1987 dhe nuk ishim favoritë, por sërish fituam. Në një ditë perfekte, duke zhvilluar një ndeshje perfekte, çdo gjë mund të ndodhë”, thotë Vitor Baia, ish-portier i Portos.

Top Channel