Juventus, Allegri: Kujdes nga Monaco, është e rrezikshme

20/03/2015 00:00

Shorti i Nionit duket se i ka buzëqeshur Juventusit, duke i vënë përballë në çerekfinalet e Champions League ekipin e Monaco, të drejtuar nga Leonardo Jardim.

Një sfidë që nuk është aspak për t’u nënvlerësuar, por as edhe e pamundur për të besuarit e Allegrit, i cili kërkon sidoqoftë kujdes. “Do të zhvillojmë dy ndeshje çerekfinaleje të vështira – ka shkruar në Twitter trajneri i bardhezinjve. – Monaco është një skuadër e rrezikshme, që ka treguar forcën e saj edhe kundër Arsenalit”.

Vështirë se Allegri u frikësohet francezëve, por ndoshta kjo mund të jetë një mënyrë për të ruajtur ndjenjën e kujdesit tepër të fortë, pasi është mëse i ndërgjegjshëm që ka shmangur rreziqe edhe më të mëdha.

Objektivi i trajnerit livornez është i qartë: nuk duhet të ulë pritshmëritë, por as përkujdesjen pas eliminimit të bujshëm të Borussia Dortmundit. Vërtet Monaco eliminoi Arsenalin, por në një mënyrë thuajse disi të pafat për londinezët, gjë që ndoshta e motivon Allegrin për të predikuar qetësi.

Precedentët e së shkuarës nuk mungojnë, kur Juve ka neglizhuar jo pak herë impenjime me skuadra të këtij niveli, por këtë herë Juventusi nuk duhet t’ia lejojë vetes. Gjysmëfinalja është një objektiv tepër i rëndësishëm.

Ndërkohë, edhe tekniku Jardim i skuadrës së Principatës ka theksuar se “favoritët” janë ata të Juventusit.

Ekipi francez erdhi si një surprizë deri në këtë fazë, pas eliminimit të “Topçinjve” të Londrës me rregullin e golit në fushë kundërshtare, pasi rezultati i përgjithshëm ishte 3-3. Jardim tha për faqen zyrtare të klubit se “do të jetë një sfidë e vështirë ndaj një ekipi të madh, që është në krye të Serie A. Futbolli mund të jetë i paparashikueshëm, por bardhezinjtë janë favoritë. Gjithsesi, ne do të bëjmë tonën, do të shkojmë të luajmë për fitore”.

Top Channel