F1, Gjermania mbetet pa përfaqësim, Hockenheim dhe Nurburgring tërhiqen

20/03/2015 00:00

Evenimenti më madhor i garave të automobilizmit vazhdon të humbasë pjesë të vyera të historisë së tij. Që prej 55 vitesh, apo më saktë prej 1960-s, Gjermania ka pritur si organizatore të paktën një Çmim të Madh të Botërorit të Formula 1.

Ndërsa viti 2015, sezon i cili nisi fundjavën e kaluar me Çmimin e Madh të Australisë në “Albert Park” të Melbournit, pavarësisht se në 5 vitet e fundit 4 herë kampion bote është shpallur një pilot gjerman (Sebastian Vettel nga 2010-2013 me Red Bull) dhe një herë kampione për konstruktorë ka dalë një skuderi gjermane (Mercedes 2014, Lewis Hamilton), do të jetë i pari në të cilin makinat e Formula 1 nuk do të zbresin në Gjermani. Ky shtet do të zhduket nga “pema e artë” e Botërorit të F1.

Hockenheim njoftoi zyrtarisht të martën se nuk është në gjendje për të zhvilluar një garë gjatë këtij viti, e cila ishte parashikuar për më 19 korrik, për shkak se nuk mund të përmbushte kostot e kërkuara nga Bernie Ecclestone. Edicioni i vitit 2014 përfundoi me një minus prej 2,5 milionë eurosh, duke qenë se vetëm 52 mijë spektatorë ishin të pranishëm në fundjavën e caktuar për garën në pistën gjermane. (Sa për krahasim, kjo shifër shikuesish ishte e pranishme në Australi vetëm të enjten, në ditën e nisjes së sezonit, ndërsa në fundjavë shikuesit shkuan në plot 300 mijë).

Menjëherë pas pistës së Hockenheim, edhe Nurburgring ka deklaruar këtë të premten tërheqjen zyrtare, edhe pse ishte e vetmja që mund të përfaqësonte Gjermaninë në një garë të F1 këtë sezon.

“Tërhiqemi për motive të përkohshme, organizative dhe ekonomike. Nuk mundemi përkohësisht të zhvillojmë një garë të F1”, ka deklaruar zëdhënësi i pistës, Pietro Nuvoloni. Oferta e prezantuar ndaj Ecclestonit, i cili e kishte sfumuar mundësinë e zhvillimit të një gare në zonën e “Eiffel”-it, nuk është konfirmuar. Ndaj Gjermania, e cila përgatitet për një tjetër seri fitoresh të Mercedesit, do të jetë e detyruar të shohë nga televizori të gjitha triumfet e Hamiltonit apo Nico Rosberg, apo ndoshta edhe ndonjë tentativë për të surprizuar nga ana e Sebastian Vettelit me Ferrari.

Botërori i 2015-s zbret kështu me 19 gara, ndërkohë që edhe pista të tjera historike si Monza priten të bëjnë llogaritë për prezencën e tyre në një botëror të tillë.

Top Channel