“Curva Sud”, kritika të ashpra Berlusconit: Mjaft më me hi syve!

20/03/2015 00:00

Për herë të parë kanë folur në lidhje me Silvio Berlusconin. Kjo, sepse “prej vitesh na keni hedhur hi syve, duke na premtuar një rikthim të shpejtë në lartësitë e së kaluarës” dhe sepse “është e kotë të zgjatet kjo lloj fushate blerjesh”.

Komunikata zyrtare e publikuar këtë mëngjes nga “Curva Sud Milano”, apo më saktë grupi më i organizuar i ultrasve të Milanit, ka qenë tepër e ashpër. Një letër e hapur me tone të civilizuara, por njëkohësisht edhe një revoltë e fortë ndaj Berlusconit: Çfarë do bësh, do e shesësh apo jo?

Komunikata nis me një premisë. “Jemi duke përjetuar një situatë absurde prej shumë kohësh. Është e kotë të mbështetesh ende në këtë fushatë blerjesh, kemi folur shumë kohët e fundit, por nuk duam të përfshihemi në zgjedhjet teknike. Ka diçka që i mungon klubit dhe ne, të gjithë tifozët e Milanit dhe të dashuruar pas ngjyrave kuqezi, kërkojmë tashmë sqarime”.

Në këtë aspekt tifozët ultras shtojnë: Kemi një seri pyetjesh që duam t’ia bëjmë presidentit Berlusconi…

Së pari, përse na keni hedhur hi syve gjithë këto vite duke na premtuar një rikthim të shpejtë në nivelet e së kaluarës, të bazuara vetëm në nisjen e projekteve madhore e të braktisura brenda pak muajsh? Do të na pëlqente më mirë të mësonim diçka dhe të evitonim këtë ndienjë sikur jemi nëpërkëmbur për të disatën herë…

Së dyti, cila është e vërteta në lidhje me zërat për shitjen e klubit, pjesërisht apo totalisht? Nëse qëllimi është shitja e shoqërisë në mënyrë të pjesshme për të qëndruar edhe në vijim në këtë situatë si deri më tani, atëherë do të ishte më mirë që të shitej i gjithë klubi, e të lihet dikush tjetër që të marrë në duar zgjidhjen e kësaj situate.

Së treti, a ekziston më dëshira për ta ngritur klubin në majën e botës? Ne ju jemi ende mirënjohës për çfarë keni bërë këto 29 vite, por tashmë kemi prekur fundin…

Ndërkohë që pyetja e katërt i drejtohet Bersluconit por në lidhje me dhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj administratorit të deleguar, Adriano Galliani.

“A dëshiron ta çosh përpara historinë e familjes tënde, duke e lidhur ende me Milanin? Ne do ta mbështesnim sërish këtë zgjedhje, por nëse bëhet fjalë për një zgjedhje të kushtëzuar, duke e lënë shoqërinë në duart e vajzës tuaj, pa pengesat e palëve të treta, të cilët deri më tani i kanë përmbushur detyrat e tyre ashtu si dhe interesat, e për më tepër me një portofol të veçantë dedikuar Milanit dhe rindërtimit të skuadrës. A jeni i sigurt që e dashuroni ende këtë skuadër si në ditën e parë?”

Në fund, protesta mbyllet me një apel. “Ftojmë të gjithë tifozët të braktisin stadiumin gjatë ndeshjes Milan-Cagliari dhe jo vetëm. Ju kërkojmë të evitoni çdo blerje të firmës origjinale të Milanit. Duke evituar ‘Casa Milan’ dhe çdo nismë të ngjashme gjatë kësaj dite, do t’i bëjmë të ndihen të vetëm, ashtu siç na kanë bërë të ndihemi prej shumë kohësh, gjatë këtyre viteve të fundit”.

Top Channel