Lionel Messi: Kam qenë në formë katastrofike

19/03/2015 00:00

Në ndeshjen ndaj Mançester Sitit Messi tregoi se është rikthyer në nivelet e tij më të larta, duke zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë, pavarësisht se nuk arriti te goli.

Pasi ekipi i tij siguroi një biletë për në çerekfinale të Champions League, ylli argjentinas pranoi se sezoni i kaluar për të ishte për t’u harruar. “Jo shumë kohë më parë unë kam qenë një katastrofë”, tha 27 vjeçari.

Ndërkohë, për sa i përket ndeshjes, ai tha se Barcelona zhvilloi një lojë të shkëlqyer, por ishte portieri i Sitit ai i cili bëri që ndeshja të përfundonte vetëm me një gol. “Hart shpëtoi gjithçka. Ne bëmë të pamundurën për të shënuar më shumë gola, por portieri i tyre kreu pritje vendimtare dhe për këtë meriton të lavdërohet”, tha ‘pleshti’.

Ai shtoi se tashmë Barcelonën e presin ndeshje tejet të rëndësishme, të cilat përcaktojnë sezonin. “Jemi në gjendje shumë të mirë dhe tashmë na presin ndeshje të rëndësishme, Reali i Madridit, çerekfinalja e Champions…Unë ndjehem mirë dhe po e shijoj këtë moment, por kemi ende një rrugë të gjatë për të arritur suksese në këtë sezon”, përfundon Messi.

Top Channel