Morten Olsen do të largohet nga drejtimi i Danimarkës pas EURO 2016

18/03/2015 00:00

Morten Olsen ka njoftuar se nuk do të jetë më trajner i Danimarkës pas përfundimit të EURO 2016.

“Pas 19 vitesh si lojtar dhe 16 vitesh si trajner, është një vendim shumë emocional për mua. Gjithsesi, ndihem mirë për dy arsye: njerëzit nuk do të hutohen me diskutime nëse do të qëndroj apo do të largohem dhe Federata do të ketë kohë për të më zëvendësuar”, u shpreh trajneri veteran.

Morten Olsen ka luajtur 102 ndeshje me Danimarkën nga viti 1970 deri në vitin 1989, ndërsa detyra e trajnerit të kombëtares iu besua në vitin 2000. Ai ka arritur ta kualifikojë skuadrën në 4 turne të mëdhenj, me paraqitjen më të mirë në EURO 2004, kur danezët arritën çerekfinalet.

Danimarka është në të njëjtin grup kualifikues me Shqipërinë (Grupi I) dhe kryeson renditjen me 7 pikë në 4 ndeshje, ndërsa kombëtarja kuqezi renditet në vendin e tretë, me 4 pikë në 3 ndeshje.

Top Channel