Në pranga presidenti i ri i Parmës dhe 21 të tjerë

18/03/2015 00:00

Presidenti i klubit të Parmës, Xhampietro Manenti është arrestuar nga Policia Tatimore italiane, me akuzën e rifutjes në përdorim të kapitaleve të paligjshme.

Arrestimi i tij dhe i 21 personave të tjerë u bë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, me urdhër të Prokurorisë së Romës.

Sipas medieve italiane, 22 të arrestuarit akuzohen për pastrim parash me rrethanën rënduese të përdorjes së metodave mafioze, ndërkohë që Policia Tatimore e Romës ka bërë mbi 60 kontrolle në gjithë vendin.

Veprat penale për të cilat akuzohet presidenti i Parmës përfshijnë edhe përdorimin e kartave false, mashtrimin informatik, si dhe bashkëpunim në organizatë kriminale sipas metodave mafioze.

Zhvillimet e fundit në klubin e Parmës kanë vënë në rrezik dhe ndeshjen e fundjavës, mes kësaj skuadre dhe Torinos, për të cilën pritet të merret një vendim ditët e ardhshme.

Manenti u bë president i Parmës më 9 shkurt të këtij viti, pasi bleu klubin për 1 euro nga Dastraso, kompani që sipas medieve italiane është e shqiptarit Rezart Taçi.

Top Channel