Shkodër, makina bie në greminë, 2 të vdekur dhe 3 të plagosur

17/03/2015 00:00

Një aksident i rëndë rrugor me pasojë dy të vdekur dhe tre të plagosur është verifikuar mëngjesin e kësaj të marte në aksin Shkodër-Bardhaj.

Lajmin e bëjnë të ditur burime pranë policisë rrugore, sipas të cilave, ngjarja ka ndodhur rreth orës 6 e 30 minuta, në vendin e quajtur Ura e Stom Golemit.

Automjeti në të cilin udhëtonin të pestë personat, një “Nissan” me targë “AX 188 NW”, mësohet se ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga një lartësi prej 7 metrash.

Për rrjedhojë, kanë gjetur vdekjen dy të rinj, të identifikuar me inicialet N.K dhe A.S, të moshave 18 dhe 20 vjeç.

Shkak i këtij aksidenti dyshohet të jetë bërë humbja e kontrollit nga drejtuesi i mjetit, Vat Tusha, i cili ka mbetur i plagosur, bashkë me shtetasit T.K dhe A.S, të moshave 34 dhe 25 vjeç.

Të tre ata janë dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës dhe sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetën.

Në vendin e ngjarjes, policia ka kryer verifikimet përkatëse, ndërkohë që autoritetet gjyqësore kanë nisur procedimin penal ndaj drejtuesit të mjetit, nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Top Channel