Seria A, Sampdoria “mbyll” kampionatin, Fiorentina përmbys Milanin

16/03/2015 00:00

Janë zhvilluar të hënën dhe 3 ndeshjet e mbetura për javën e 27-të të Serisë A. Milani ka zhgënjyer sërish duke u mundur 2-1 nga Fiorentina.

Edhe pse kaluan të parët në avantazh, kuqezinjtë e Inzaghi-t, nuk arritën të ruanin avantazhin, duke konfirmuar se 2015-ta nuk është një vit i mbarë për ta.

Ne 11 ndeshje të zhvilluara gjatë këtij viti, Milani ka fituar vetëm 2, ka barazuar 4 dhe ka humbur 5 ndeshje. Me 35 pike, në vendin e 10-të në tabelë, Milani ndodhet shumë larg zonës së kualifikimit për në Europë.

Një tjetër ndeshje e rëndësishme ishte dhe ajo që u zhvillua në “Olimpico” mes Romës dhe Sampdorias. Një ndeshje e cila duket se vulosi përfundimisht çështjen e titullit në Itali.

Xhenovezët e Sampdorias, mposhtën verdhe e kuqtë 0-2, duke çuar në këtë mënyrë në +14 diferencën mes Juventusit dhe Romës. Nga ana e saj, Sampdoria me këtë fitore i afrohet zonës së kualifikimit për në kupat e Europës. Ndërsa Roma vë në rrezik dhe vendin e dytë, pasi Lacio, ndodhet vetëm një pikë pas. Në ndeshjen e zhvilluar mes Torinos dhe Lacios, këta të fundit arritën të fitonin me rezultatin e pastër 0-2, me dy gola të realizuar në pjesën e dytë nga braziliani Anderson, i cili është kthyer në njeriun kryesorë për Lacion.

Për t’u shënuar në këtë ndeshje ishte rikthimi në formacion i Migjen Bashës, madje edhe si kapiten i Torinos, i cili i mungonte fushave të blerta për një kohë të gjatë për arsye dëmtimi.

Top Channel